Paraqitet vetë gjatë shtatzënisë dhe është i përkohshëm. Në këtë gjendje shtatzëna ka nivel të rritur të sheqerit në gjak. Shtatzënia konsiderohet me rrezik të lartë dhe si e tillë duhet të ndiqet nga akusher me përvojë dhe endokrinolog me përvojë. Me udhëheqje të duhur dhe terapi përkatëse, përfundon me lindjen e fëmijës së shëndetshme dhe gjendja e tillë tek nëna zhduket ( shumë rrallë mund të zhvillohet në diabet tip 2).
Nëse kjo gjendje nuk identifikohet dhe nuk trajtohet, mund T’ju dëmtojë shëndetin Tuaj dhe të bebes!
Cilat janë shkaqet?
Gjatë shtatzënisë placenta tajit hormone të cilat mund të rrisin vlerat e glikemisë ( sheqerit në gjak). Zakonisht, pankreasi nga ana tjetër, krijon mjaftueshëm insulinë dhe rruan vlerat normale të glikemisë. Në të kundërt, ato vlera do të rriten mbi normat normale dhe do të shkaktojnë diabet gestacional i cili në thelb paraqet çrregullim metabolik.
Cilat janë faktorët e rrezikut për paraqitje e diabetit gestacional?
Pesha trupore e zmadhuar gjatë shtatzënisë, vlerat e rritura të sheqerit në gjak – por të pa mjaftueshme për diagnostikimin e diabetit, diabet në familje, shtypje e lartë e gjakut, paraprakisht ka lindur fëmijë me peshë trupore të madhe ( mbi 4 kg), shtatzëni paraprake e cila ka përfunduar me vdekje intrauterine të frytit ose me lindjen e fëmijës me anomali të caktuara, rritja e nivelit të ujit amniotik në ultrazë, fryt i madh gjatë shtatzënisë aktuale, aborte spontane paraprake ose shtatzëni të pa suksesshme, sheqer pozitiv në urinë, infeksione të shpeshta fungale, paciente me PCO sindromë.
Cilat janë simptomat?
Etje e theksuar, oreks i madh, urinim i shpeshtë, sheqer në urinë, marramendje, të vjella, infeksione fungale dhe urinare të shpeshta, shikim i turbullt.
Pacientet me diabet gestacional mund të mos kenë simptoma të dukshme. Prandaj, është me rëndësi të madhe skriningu në kohë, tek çdo paciente!
Kur bëhet skriningu?
Diabet gestacional, zakonisht paraqitet gjatë gjysmës së dytë të shtatzënisë. Sipas protokollit, skriningu bëhet ndërmjet javës së 24-t dhe 28-të, ndërsa në rast të ekzistimit të rrezik faktorëve edhe më herët. I njëjti duhet të bëhet tek secila grua shtatzënë. Detektimi i hershëm dhe trajtimi përkatës janë me rëndësi të jashtëzakonshme.
Ku bëhet skriningu?
Nëse glikemia tek gruaja shtatzënë është e barabartë ose më e madhe se 7nmol/l dy herë me radhë, diagnoza për diabet gestacional, konfirmohet. Analiza plotësuese, nuk janë të nevojshme.
Skriningu realizohet me ngarkesë me sasi të caktuar të sheqerit të konsumuar në mënyrë orale dhe më pas vijon matja e glikemisë tek nëna pas një periudhe kohore të caktuar. Varësisht nga vlerat e fituara, diagnoza konfirmohet ose jo. Testi mund të bëhet në mëngjes pas një periudhe urie 8 – 10 orë. Rekomandohet, një ditë përpara, aktivitet fizik normal (jo të tepruar).
Ndjekja e kujdesshme e nënës dhe frytit, vazhdon edhe pas lindjes, edhe përpos rezultatit negativ të fituar. Kjo në veçanti vlen për shtatzëna tek të cilat ekziston një ose më tepër faktorë rreziku!
A është i dëmshëm skrining testi për Ju ose për beben Tuaj?
Edhe pse konsumi i lëngut me glukozë mund të mos jetë i këndshëm, si dhe kohëzgjatja e testit, duhet të bëni durim. Diabeti gestacional është gjendje e cila duhet të zbulohet në kohë dhe të trajtohet në mënyrë përkatëse.
Nëse përcaktohet diagnoza e diabetit gestacional në kohë – me kontroll të rregullt, ushqim të duhur, aktivitet fizik dhe terapi përkatëse, shtatzënia përfundon me nënë dhe bebe të shëndetshme.